Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit

Projekti i GIZ ”Mbështetje për Harmonizimin e Legjislacionit Tregtar dhe Ekonomik me Acquis-në e BE-së” i financuar nga Qeveria Gjermane ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë për Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ky projekt bëri të mundur unifikimin e QKR dhe QKL në një portë të vetme shërbimesh që sot njihet si Qendra Kombëtare e Biznesit. Në sajë të tij u realizuan ndryshimet e nevojshme ligjore për thjeshtimin e procedurave të regjistrimit dhe licensimit, u hartua kuadri ligjor për të mundësuar aplikimin online, u pajisën me njohuri dhe aftësi punonjësit e QKB, duke bërë kështu të mundur rritjen ndjeshëm të performancës së institucionit në ofrimin e shërbimeve.

Për të prezantuar arritjet në kuadër të këtij bashkëpunimi afatgjatë do të mbahet aktiviteti përmbyllës i projektit, ku do të prezantohen gjetjet e studimit mbi perfomancën e QKB, realizuar nga “Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike” (ACER) dhe do të diskutohen arritjet dhe sfidat për të ardhmen europiane të Qendrës Kombëtare të Biznesit.