|
|
|
| |
Degët |
|
|
|
|
|
|

|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
Si të regjistroni një biznes të ri: instruksionet dhe formularët |
|
|
|
|
 |
|
| |
Çfarë duhet të dini përpara se të regjistroni një biznes.
Të gjitha subjektet që bëjnë pjesë në kategoritë e mëposhtme, duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR):
a. Personat fizikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik, tregtar. b. Shoqëritë e thjeshta, sipas dispozitave të Kodit Civil. c. Shoqëritë tregtare. d. Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të Shoqërive të huaja. e. Shoqëritë dhe Unionet e Kursim- Kreditit. f. Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok.
A. Forma ligjore e biznesit
Ligji shqiptar lejon një sërë formash ligjore të bizneseve. Duke qenë se këto forma ndryshojnë në përgjegjësitë e tyre ligjore njëra nga tjetra, edhe dokumentet e kërkuara për regjistrimin e tyre fillestar, janë të ndryshme. Çdo aplikant, duhet të sigurohet për formën e biznesit që kërkon të regjistrojë përpara se të aplikojë për regjistrim fillestar.
Për lehtësinë e lexuesit, më poshtë janë përmendur format më të shpeshta ligjore të bizneseve në Shqipëri. Informacion më i detajuar për këto forma ligjore, mund të gjendet në ligjin nr. 7638, datë 19.11.1992 "Për shoqëritë tregtare". Këtë dhe ligje të tjera të ngjashme, mund t'i gjeni në këtë faqe zyrtare të Qendrës Komëtare të Regjistrimit (QKR) nën Direktorinë Ligje të Zbatueshme.
Siç përmendet dhe më sipër, individët që kryejnë aktivitet tregtar duhet të regjistrohen në QKR. Këta persona njihen nga ligji shqiptar me emërtimin "Persona fizikë". Personat fizikë kanë të drejtën të ushtrojnë aktivitet ekonomik tregtar.
Ligji "Për shoqëritë tregtare" përcakton katër lloje shoqërish tregtare si më poshtë:
1. Shoqëritë kolektive. Në shoqëritë kolektive, të gjithë ortakët kanë cilësinë e tregtarit dhe përgjigjen pa kufizim e solidarisht për borxhet e shoqërisë. Kreditorët mund të padisin një ortak për shlyerjen e borxheve që u ka shoqëria, vetëm pasi të kenë dështuar në paralajmërimin drejtuar shoqërisë. Shoqëria kolektive ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij fjalët "shoqëri kolektive."
2. Shoqëritë komandite. Në shoqëritë komandite, përveç ortakëve "të pakufizuar" (ortakët që përgjigjen pa kufizim e solidarisht për borxhet e kompanisë) marrin pjesë edhe ortakët "e kufizuar" ose ata ortakë, që përgjigjen për detyrimet e kompanisë deri në kufirin e vlerës së kontributeve të tyre në kapitalin themeltar. Ky kontribut nuk mund të jetë një kontribut në shërbime. Shoqëria komandite ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij, fjalët "shoqëri komandite".
3. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara (sh.p.k). Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara janë ato shoqëri që janë themeluar nga një ose disa ortakë, të cilët përballojnë humbjet vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Në qoftë se shoqëria përbëhet vetëm nga një person, ky quhet "ortak i vetëm". Shoqëria me përgjegjësi të kufizuara ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve duke vënë përpara ose menjëherë pas tij, fjalët "shoqëri me përgjegjësi të kufizuara" ose inicialet "sh.p.k", si dhe të përmendet kapitali themeltar.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, vlera minimale e kapitalit themeltar të kësaj forme shoqërie është 100.000 lekë. Ky kapital ndahet në pjesë të barabarta, vlera nominale e të cilave nuk duhet të jetë më e vogël se 1.000 lekë. Në rast të kundërt, shoqëria duhet të shndërrohet në një formë tjetër.
QKR mund të regjistrojë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, pa pasur nevojë të shohë evidencë, që kapitali themeltar është paguar.
4. Shoqëritë anonime (sh.a). Shoqëri anonime janë ato shoqëri, kapitali i të cilave ndahet në aksione dhe që themelohen ndërmjet ortakëve që përballojnë humbjet, vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre. Shoqëria mund të themelohet e të ketë një ose disa ortakë. Ajo ka një emërtim, para ose prapa të cilit vihet shënimi "shoqëri anonime" ose "sh.a", si dhe vlera e kapitalit themeltar. Emri i një ose disa ortakëve mund të përfshihet në emërtimin e shoqërisë.
Shoqëritë anonime janë dy lloje: me ose pa ofertë publike. Shoqëri me ofertë publike konsiderohen ato shoqëri, aksionet e të cilave janë të regjistruara zyrtarisht në bursën e letrave me vlerë, duke filluar nga data e regjistrimit ose ato, që për shitjen e aksioneve të çdo lloji, u drejtohen bankave, institucioneve financiare apo agjentëve të këmbimit të letrave me vlerë ose publikimit në forma të ndryshme dhe shpërndarjes jashtë mjediseve të caktuara për këtë qëllim. Të gjitha shoqëritë e tjera anonime janë shoqëri pa ofertë publike.
Vlera minimale e kapitalit themeltar për shoqëritë pa ofertë publike duhet të jetë 2 milionë lekë, kurse për shoqëritë me ofertë publike duhet të jetë 10 milionë lekë në ditën e firmosjes së statuteve. Regjistrimi në QKR për një shoqëri anonime kërkon evidencë që kapitali themeltar është paguar.
B. Koha e regjistrimit fillestar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit
Sipas ligjit të QKR-së, subjektet duhet të aplikojnë për regjistrim fillestar, brenda një afati 15 -ditor (përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme). Afati llogaritet:
a. për personat fizikë, për shoqëritë e thjeshta dhe për degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, nga dita e nisjes së aktivitetit;
b. për personat juridikë, nga dita e themelimit.
C. Personat e autorizuar për të bërë aplikimin për regjistrimin fillestar
Për personat fizikë aplikimi për regjistrim kryhet: 1. nga vetë personi që regjistrohet; ose 2. nga çdo person i autorizuar prej tij.
Për shoqëritë e thjeshta aplikimi për regjistrim kryhet: 1. nga të gjithë anëtarët; ose 2. nga çdo person i autorizuar prej tyre.
Shënim: Aplikimi për regjistrimet e tjera kryhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.
Për shoqëritë tregtare aplikimi për regjistrim kryhet: 1. nga të gjithë ortakët e një shoqërie kolektive; 2. nga të gjithë ortakët "e pakufizuar" të një shoqërie komandite; 3. nga të gjithë administratorët e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar (të nominuar në një dokument themeltar, të noterizuar të kompanisë); 4. nga të gjithë anëtarët e drejtorisë së mbikëqyrjes të një shoqërie anonime (të nominuar në një dokument themeltar, të noterizuar të kompanisë); apo 5. çdo person i autorizuar nga personat e sipërpërmendur nëpërmjet një dokumenti autorizimi të noterizuar.
Shënim: Aplikimi për regjistrimet e tjera kryhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.
Për degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrimi kryhet: 1. nga përfaqësuesi ligjor i degës apo i zyrës së përfaqësimit; 2. nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë së huaj; ose 3. nga çdo person i autorizuar nga njeri prej personave të përmendur më sipër.
Për shoqëritë dhe unionet e kursim- kreditit regjistrimi kryhet: 1. nga kryetari i bordit drejtues; ose 2. nga çdo person i autorizuar prej tij.
Për shoqëritë e ndihmës dhe të bashkëpunimit reciprok regjistrimi kryhet: 1. nga kryetari i këshillit administrativ; ose 2. nga çdo person i autorizuar prej tij.
Për më tepër referojuni ligjit të QKR-së.
D. Formularë dhe Instruksione:
Aplikim për regjistrim fillestar të personit fizik Formular dhe Insruksione
Aplikim
për ndryshime në të dhënat e regjistrimit për
shoqëritë kolektive, komandite, me
përgjegjësi të kufizuar, dhe të
thjeshta Formular dhe Insruksione
Aplikim për regjistrim fillestar të shoqërive
anonime Formular dhe Instruksione
Aplikim për regjistrim fillestar të shoqërive të kursim
kreditit Formular dhe Instruksione
Aplikim për
regjistrim fillestar të degëve ose
zyrave Formular dhe Instruksione të përfaqësimit të shoqërive të huaja
Aplikim për regjistrim fillestar të shoqërive
të bashkëpunimit
reciprok Formular dhe Instruksione
Per shoqeritë kolektive, komandite, dhe ato me përgjegjësi të kufizuar mund të perfshihet në raste të vecanta, të përmendura në Ligjin 9732, si pjesë e dokumentacionit për tu dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, edhe Deklarata e Posaçme.
Përditësimi i fundit, Maj 2008
|
|
| |
|
|

|
|
|
|
|
|
|