Regjistrime fiskale dhe të tjera të kryera nga QKR.
Kur një biznes regjistrohet në QKR, duke marrë një NIPT dhe një çertifikatë regjistrimi, ai gjithashtu regjistrohet në të njëjtën kohë në autoritetet e tatim- taksave (tek bashkitë nëse një biznes është i vogël, përndryshe me zyrën e tatim- taksave), tek autoritetet e sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore dhe në inspektoriatin e punës.
Këto regjistrime fiskale dhe regjistrime të tjera bëhen nga QKR nëpërmjet komunikimit të të dhënave të regjistrimit fillestar te këto autoritete. QKR e njofton bashkinë në të cilën është e regjistruar selia e biznesit, për regjistrimin e këtij biznesi të ri në juridiksionin e saj. QKR njofton gjithashtu, edhe të gjitha detajet e regjistrimit fillestar.
Kjo do të thotë se biznesi i regjistruar, nuk ka nevojë të shkojë në zyrat e këtyre autoriteteve për t'u regjistruar.
Megjithatë, pas regjistrimit, biznesi duhet të mbajë marrëdhënie të drejtpërdrejta me këto autoritete. Për shembull, një biznes i regjistruar duhet të komunikojë drejtpërdrejt me autoritetet e taksave (me tatim- taksat ose me bashkitë, nëse biznesi është i vogël) për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me taksat. Për më tepër, nëse një biznes i vogël ndryshon statusin e tij fiskal në biznes të madh, i cili duhet të regjistrohet për TVSH, ai duhet të aplikojë për këtë ndryshim tek zyra e tatim- taksave.
Çdo kërkesë tjetër për ndryshim në të dhënat e regjistrimit të biznesit (me përjashtim të statusit fiskal) dorëzohet dhe procesohet në QKR.
Përditësimi i fundit, Shkurt 2008